Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti me bashkëpunëtor takoi Kryeshefin e Korporatës Amerikane për Financim Zhvillimor, Adam Boehler.
Kryeministri Hoti, prezantoi projektet e miratuara në marrëveshjen me Presidentin Trump, por gjithashtu edhe projekte tjera zhvillimore.
Projektet e miratuara të cilat do të përkrahen nga Korporata, janë autostrada dhe hekurudha nga Prishtina deri në Merdare, si dhe fillimi i fizibilitetit të linjës hekurudhore deri në detin Adriatik në Shqipëri.
Përpos projekteve të miratuara në marrëveshje, u diskutuan edhe projekte tjera zhvillimore, si Brezovica dhe Stacioni Multimodal.
Kryeshefi Boehler dhe Kryeministri Hoti, u dakorduan që projektet e miratuara dhe projektet tjera potenciale, të fillojnë së realizuari në kohë rekorde.
Projektet e miratuara në kuadër të marrëveshjes, si dhe investimet e Korporatës MCC, në linjën e gazsjellësit dhe rrjetit të gazsjellësit në Kosovë, paraqesin projekte që do të ndryshojnë mënyrën e të bërit biznes dhe do të hapin mundësi tjera zhvillimore për vendin.