Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt 2021, u radhit partia e tretë me 12,64% apo 110 mijë e 978 vota. Menjëherë pas këtij rezultati, Isa Mustafa njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të kësaj partie dhe se së shpejti do të thërras Kuvendin e LDK-së për të zgjedhur kryetarin e ri.
E, Kuvendi i LDK-së u caktua të mbahet këtë të diele më datë 14 mars 2021. Ndonëse në media u përfolën shumë emra si kandidatë për kryetar të partisë së formuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe intelektualë të tjerë, aktualisht kandidaturën e tyre e kanë konfirmuar vetëm Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri dhe Anton Quni.
Kandidaturën e Abdixhikut dhe Hazirit e ka konfirmuar vetë LDK-ja përmes një komunikate për media. Ndërkaq Quni këtë e ka bërë të ditur në prononcim për disa media, shkruan Telegrafi.
Anëtarë të kryesisë dhe degëve të LDK-së kanë përmendur edhe emrin e Kujtim Shalës, por ky i fundit asnjëherë deri më tash nuk është deklaruar nëse do të jetë pjesë e garës. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, që është pjesë e kryesisë së LDK-së, ditë më parë publikoi një fotografi me mesazh në rrjetet sociale, përkrah Kujtim Shalës.Lexo po ashtu:LDK: Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku kandidatë për kryetar të partisë
Por, kjo nuk nënkupton që mund të ketë edhe kandidatura të tjera gjatë ditëve në vijim, gjë të cilën kanë lënë të nënkuptohet edhe nga vetë LDK-ja.
Statuti i LDK-së e përcakton se kandidaturat për kryetar bëhen në punimet e kuvendit. Neni 25 i statutit e parasheh që “secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm”. Duke marr parasysh faktin se kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, duke përfshirë edhe kryetarin e partisë, secilit kandidatë potencialë i nevojiten 178 vota përkrahëse për të hyrë në listën e kandidatëve për kryetar.
Por, në rast se kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për kryetar.
Në historinë e LDK-së, kjo është hera e parë që një kryetar jep dorëheqje. LDK-ja është themeluar më 1989 dhe që atëherë ka pasur tre kryetarë: Ibrahim Rugova (bashkëthemelues i partisë), Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa.
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku ka lindur më 22 prill 1983. Abdixhiku përfundoi studimet universitare në Universitetin e Prishtinës; Lumir mori gradën Master i Shkencave në vitin 2006 nga Universiteti Staffordshire në Britani; në fushën e Moralit Fiskal.
Në vitin 2013 ai mori Doktoraturën e tij në ekonomi nga Universiteti Staffordshire pas katër vjet kërkimesh dhe hulumtimesh në fushën e përcaktuesve të evazionit të taksave të biznesit në vendet në tranzicion. Abdixhiku është gjithashtu Drejtori Ekzekutiv i Institutit Riinvest. Ai u bashkua me Institutin në 2005 dhe që atëherë ka qenë i përfshirë në disa projekte kërkimore, avokuese dhe zhvillimore – në Kosovë dhe jashtë saj.
Ai ishte ministër i Infrastrukturës dhe Mjedisit nën Qeverinë Kurti . Para kësaj, Abdixhiku ishte Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitin 2017-2019.
Në zgjedhjet e vitit 2019, Abdixhiku ishte politikani i 9-të më i votuar në Kosovë dhe filloi mandatin e tij të dytë si deputet i Kuvendit të Kosovës. Aktualisht ai është anëtar i Kryesisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Lutfi Haziri
Lutfi Haziri u lind më 8 nëntor të vitit 1969 në Gjilan. Ai është biolog me profesion, ndërsa gjatë viteve ’90-ta, ishte anëtar i strukturave udhëheqëse të studentëve në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 1990, ishte anëtar i strukturave të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kosovës dhe udhëheqës i një varg funksionesh në kuadër të strukturave paralele ekzistuese në Kosovë.
Në mars të vitit 1990, u zgjodh kryetar i Degës së Forumit të Rinisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan dhe në këtë funksion ishte deri në vitin 1997. Në vitin 1997, u zgjodh zëvendëskryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë. Haziri i kreu që të dyja këto funksione deri në vitin 2000.
Në nëntor të vitit 1998, Haziri u arrestua dhe u burgos nën akuzat e udhëheqjes së strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Karadakut të Gjilanit. Në gusht të vitit vitin 1999, pas lirimit nga burgu, u emëruar zëvendëskryetar i Komunës së Gjilanit, ndërsa në nëntor të vitit 2000, ai u zgjodh kryetari i parë i po të njëjtës Komunë në zgjedhje të lira, në të cilin funksion ai qëndroi deri në janar të vitit 2005.
Në qershor të vitit 2001, themeloi dhe u zgjodh kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Në këtë funksion, u zgjodh edhe udhëheqës i delegacionit të komunave të Kosovës në Kongresin e Pushtetit Lokal dhe Regjional në Strasbourg (Këshilli i Europës).
Në dhjetor të vitit 2004, u zgjodh ministër i parë për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës. Paralelisht në vitin 2004, Haziri u zgjodh edhe anëtar i Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë viteve 2005-2007 ka qenë pjesë e grupit politik në bisedimet për statusin final të Kosovës. Në vitet 2006-2008 është zgjedhur edhe zëvendëskryeministër i Kosovës.
Haziri është nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Lutfi Haziri në legjislaturën 2008-2010 ka qenë shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës.
Më 2010 rizgjidhet sërish deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrime Europiane dhe bashkëkryesues i Task Forcës për integrime, pozita këto që i mbajti deri në dhjetor të vitit 2013 kur rizgjidhet kryetar i Komunës së Gjilanit. Ka qenë anëtar I Komisionit Mbikëqyrës për Intelegjencë e Siguri.
Haziri është Qytetar Nderi i Komunës Luterbah në Strasbourg (Francë) Kolonel Kentucky/Shtetit të Kentucky në SHBA, Qytetar Nderi i qytetit Lexington, Qytetar Nderi Hot Springs-Arkansas dhe dekorata e mirënjohje ndërkombëtare. Posedon diplomën për Menaxhim nga OSBE-ja, certifikatën e Universitetit Georgetown, Washington DC, Colorado University SHBA, diplomë nga Instituti Amerikan për Paqe – USIP, si dhe shumë mirënjohje dhe certifikata nga institucionet vendore e ndërkombëtare.
Më 24 dhjetor të vitit 2013 është zgjedhur për herë të tretë kryetar i Gjilanit me votë plebishitare, për t’u rikonfirmuar në dhjetor 2017 sërish në krye të këtij qyteti, për herë të katërt. Haziri është anëtar i Bordit të ALDA me seli në Bruksel, sikurse edhe anëtar i Parlamentit Global të Komunave, me seli në Hagë. Aktualisht është zëvendëskryetar i LDK-së dhe kryetar i Degës në Gjilan.
Është i martuar dhe ka katër fëmijë.
Anton Quni
Është i lindur më 09 qershor 1967 në fshatin Fshaj të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në Bishtazhin të Gjakovës, shkollën e mesme ushtarake në Beograd, kurse studimet me rezultate të shkëlqyera në Akademinë Ushtarake në Beograd dhe Sarajevë gjatë periudhës akademike 1986-1990.
Pas diplomimit, si oficer i karrierës ka shërbyer në detyra të ndryshme të liderit ushtarak duke arritur deri në pozitën e komandantit të kompanisë në ish-APJ kur edhe largohet me fillimin e shpërbërjes së saj më 1991. Për shtatë vite ka jetuar dhe vepruar në Zvicër dhe Kroaci. Me fillimin e luftës në Kosovë më 1998, i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në detyrën e komandantit të Batalionit Diversant-Vëzhgues. Më 1999 emërohet në detyrën e Shefit të Shtabit të GO-3 e cila më vonë shndërrohet në Brigadën 138 “ Agim Ramadani“.
Pas shpërbërjes së UÇK-së në vitin 1999, karrierën ushtarake e vazhdoi në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. Për katër vite e kreu detyrën e shefit të Shtabit të Qendrës për Trajnim Kolektiv, e pastaj më 2003 emërohet shef i Shtabit të Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës. Pas shpërbërjes së TMK-së dhe krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, më 2009 emërohet këshilltari ushtarak i komandantit të FSK-së me gradën Kolonel, detyrë të cilën e ushtron deri në vitin 2010. Nga kjo pozitë kalon në Presidencën e Republikës së Kosovës si këshilltar politik për çështje të sigurisë së Presidentit të vendit.
Quni, angazhimin politik e filloi në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku në zgjedhjet e katër legjislaturave radhazi, bindshëm merr besimin qytetarë duke u zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Gjatë dy mandateve të para (2010-2017) ka qenë anëtar i komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, kurse në mandatin e tretë (2017-2019) ishte anëtar i komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, u zgjodh përsëri deputet i Kuvendit të Kosovës, dhe i mandatuar nga partia e tij (LDK) u emëruar ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në angazhimin e tij partiak në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës aktualisht është kryetar i Degës në Prizren dhe nënkryetar i Kryesisë Qendrore të LDK-së. Flet gjuhët angleze, serbe dhe kroate. Hobit e tij janë noti dhe skijimi.