Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka dhënë një lajm të mirë për zyrtarët publikë.
Në rrjetin social “Facebook”, Sveçla ka thënë se është proceduar Projektligji për Pagat dhe Projektligji për Zyrtarët Publik.
Sipas tij, Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Ligji i pagave është miratuar njëherë në shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi muajin pasues. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-ës – institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç ka thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata, më pas, ka konstatuar se ligji i miratuar nuk është në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.
Ligji ishte shfuqizuar dhe që nga ajo kohë kishte mbetur pezull, kryesisht për shkak të zhvillimeve politike, që kanë përfshirë disa palë zgjedhje në vend.