Liderët e partive në vend i kanë shpeshtuar vizitat jashtë vendit duke u takuar me bashkatdhetarë, për të kërkuar nga ta votat për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen me 9 shkurt.
Në këto zgjedhje bashkatdhetarët votojnë për herë të parë në mënyrë fizike, kjo edhe po shihet si mundësi që ata të marrin pjesë në përqindje më të madhe, krahasuar me zgjedhjet e fundit kur ishin votuar 7%.
Lirim Krasniqi, drejtor në Organizatën “Germin” e sheh të arsyeshëm që diaspora të ketë të drejtën e votës, sipas tij, kjo e drejtë i garantohet me Kushtetutë. Votimi në mënyrë fizike, thotë ai është mundësi e mirë për të gjithë ata që kanë të drejtë vote në diasporë.
Krasniqi ritheksoi se këtë vit, do të ketë më shumë vota të vlefshme, për shkak të lehtësimit të procedurave të votimit.
“Vota me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme iu garantohet të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shtetaseve të tij, pavarësisht vendit ku jetojnë dhe kjo mundësohet përmes votimit direkt në Kosovë, ose jashtë vendit”.
“Votimi jashtë Kosovës organizohet për herë të parë në formë fizike, pra bashkatdhetarët tanë do ta kenë mundësinë për herë të parë të votojnë në vendvotimet që do të hapin në misionet tona diplomatike. Kjo nuk është temë diskutimi a duhet apo jo, kjo është një e drejtë kushtetuese dhe shumë mirë që të gjithë shtetasit e Kosovës e kanë mundësinë që ta votojnë edhe në vendet jashtë Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi për EO.