Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) e Policisë së Kosovës gjatë ditës së djeshme (12 dhjetor) pas një hulumtimi disa mujor ka zhvilluar një operacion policor me ç’rast ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Tre personat e dyshuar në momentin e ndalimit kanë qenë duke shkëmbyer sasi të substancës narkotike dhe janë arrestuar nga njësitet antidrogë të Policisë së Kosovës, njofton Klan Kosova
Në këtë operacion policor janë sekuestruar:
51 kg (pesëdhjetë e një kilogram) e 664.6 gr substancë e dyshuar narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë, tre vetura, tetë telefona celularë, 980 euro, 30 franga,1 dollarë para të gatshme.
Në vendngjarje poashtu kanë dalë edhe njësiti i forenzikës së PK-së për procedura të nevojshme.
“Në lidhje me rastin janë bastisur tri lokacione në Viti dhe gjatë bastisjes është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë me dy tyta, 32 fishekë të kalibrit të ndryshëm dhe 51.9 kg duhan” thuhet në komunikatën e Policisë.
Me vendim të prokurorit kompetent tre personat e dyshuar dërgohen në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.