176 raste të reja të infektimit kanë rezultuar vetëm në Prishtinë, nga gjithsej 424 raste pozitive brenda 24 orëve të fundit në tërë Kosovën.
Në të dhënat e bëra publike së fundmi nga Ministria e Shëndetësisë, njoftohet se me shifrat e fundit, numri i rasteve aktive në kryeqytet ka arritur në 981.
Për nga numri i rasteve aktive me koronavirus, Prishtina pasohet nga Prizreni dhe Ferizaj, ndonëse me shumëfish më pak të infektuar.
Këto dy komuna me më së shumti raste aktive pas Prishtinës, kanë gjithsej nga 159 persona që vazhdojnë të jenë të infektuar.
Ndryshe, në njoftimin 24-orësh të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se një person ka vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19 gjatë kësaj periudhe kohore.
Në ndërkohë janë shëruar 89 persona, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 158 mijë e 284.
Ndërkaq, numri total i rasteve aktive është ngritur në dy mijë e 992.