Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, ka debutuar me fitore në Ligën e Kampionëve. Të martën mbrëma në Elbasan, Prishtina fitoi 2:0 ndaj kampiones së San Marinos, Folgores. Ndeshja i takoi gjysmëfinales së raundit preliminar të Ligës së Kampionëve.
Me fitore Prishtina ka kaluar në finale të raundit preliminar. Më 25 qershor takohet me kampionin e Andorrës, Inter d’Escaldes, që fitoi 1:0 ndaj Torshavnit të Ishujve Faroe, në Durrës. Ndeshja finale e raundit preliminar do të luhet në Elbasan, ndërsa fituesi në raundin e parë kualifikues të Championsit takohet me Ferencvaroshin. Prishtina ka dominuar plotësisht ndaj skuadrës inferiore nga San Marino.
Ka krijuar gjithsej 15 raste, për dallim nga Folgore që kishte vetëm një. Megjithatë vetëm dy gjuajtje të Prishtinës ishin të sakta. Dhjetë gjuajte përfunduan jashtë portës, ndërsa tri u bllokuan. Goditja e vetme e Folgores ishte e pasaktë. Endrit Krasniqi ka shënuar golin e parë për Prishtinën, në minutën e 51-të. Ndërkohë përforcimi Mendurim Hoti shënoi për 2:0 në minutën e 91-të. Prishtina ka luajtur më parë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, por për herë të parë po paraqitet në Champions.