Dje në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet lokale ku qytetarët kanë votuar për të zgjedhur kryetarët në 38 komuna të vendit.
Fokusi në këto zgjedhje ishte në kryeqytet ku në garë ishin shtatë kandidatë: Arben Vitia (LVV), Përparim Rama (LDK), Uran Ismaili (PDK), Daut Haradinaj (AAK), Gëzim Mehmeti (AKR), Avni Çakmaku (Fjala) dhe Florim Isufi (Partia Balliste), shkruan Telegrafi.
Nga rezultatet e deritanishme preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numrin më të madh të votave e ka marrë kandidati i LVV-së Arben Vitia i cili ka marrë 35 mijë e 243 vota apo 42,26% nga 99% e votave që janë numëruar.
Në vendin e dytë renditet kandidati i LDK-së, Përparim Rama me 24 mijë e 474 vota apo 29,34%.
Sipas këtij rezultati, Vitia dhe Rama do të përballen sërish në raundin e dytë të zgjedhjeve pas një muaji.
Në garën për Asamble të Komunës së Prishtinës, LVV deri tani ka marrë 22 mijë e 789 vota apo 34,27%, kurse LDK ka marrë 17 mijë e 629 vota apo 26,51%.
Ndryshe në zgjedhjet e 17 tetorit në Prishtinë nga 195 mijë e 978 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar vetëm 87 mijë e 959 apo 44,88% e tyre.