Përmes disa ngjitësve në veturat e regjistruara, që nga 1 marsi identifikimi i atyre të paregjistruarve do të jetë më i lehtë.
Por, kjo nuk do të jetë masa e vetme që do ta ndërmarrë Ministria e Infrastrukturës së bashku me Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Krahas ngjitësve, një pilot-projekt pritet të niset në Prishtinë, e cila do të gjejë përkrahje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Organet e rendit po planifikojnë të blejnë disa pajisje digjitale të teknologjisë së fundit, të cilat në distancë do të detektojnë automjetet e paregjistruara.
BKS-ja ka bërë të ditur se ende nuk dihet kostoja financiare porse do të mbështetet nga kompanitë e sigurimit në vendin tonë.
“Jemi në përfundim, që përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, të blejmë disa pajisje digjitale ato pajisje do ja dhurojnë donacion MPB-së dhe pastaj policia t’i përdorin ato. Ato janë të kohës, janë të digjitalizuar dhe ky projekt është në finalizim”, tha Mazreku, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, thotë se këto masa do të ulin numrin e automjeteve të paregjistruara. Sipas tij, në këtë mënyrë Kosova do të jetë më afër plotësimit të një nga kritereve për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër.
“Ne jemi duke filluar implementimin edhe të një projekti tjetër përmes pajisjeve digjitale, ku do ta fillojmë një pilot projekt në Prishtinë, janë pajisjet digjitale që detektojnë automjetet pa regjistrim. Kjo do të na lehtësojë shumë punën në të ardhmen, sepse synojmë që sa më shpejt të jetë e mundur policia e Kosovës të jetë e pajisur me këto mjete në gjithë Kosovën, dhe disa ndryshime të udhëzimit administrativ që ka të bëj me veturat të cilat nuk e regjistrojnë me radhë të hiqen automatikisht nga lista e automjeteve të paregjistruar, dhe në këtë mënyrë automatikisht të ulen numri i automjeteve të paregjistruara”, thotë Durmishi.
Kosova numëron 65 mijë vetura të paregjistruara vetëm dy vjetët e fundit. Ndërsa, nga viti 2002 janë mbi 200 mijë të tilla.