Prishtina ka shënuar fitore me shumë peshë në garën për titull në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Të premten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, skuadra e kaltër fitoj 1:0 ndaj Drenicës. Ndeshja i takoi xhiros së 28-të.
Ahmed Januzi ia siguroi fitoren e rëndësishme Prishtinës. Ai shënoi me goditje me kokë në minutën e 94-t. Arbitri dha pesë minuta shtesë, që u shfrytëzuan maksimalisht nga Prishtina. Prishtina tani ka vetëm një pikë më pak se Drita, që udhëheq në tabelë. Drita luan të dielën ndaj Llapit në Podujevë.
Ndërkohë Drenica do të vazhdojë garën për mbetje në elitë. Aktualisht renditet e teta me 35 pikë, katër më shumë se Trepça ’89 që është në vend të nëntë. Vendi i tetë siguron mbetjen në elitë, vendi i nëntë dërgon në Ligën e Parë.
Të premten është luajtur edhe ndeshja në mes të Vushtrrisë dhe Flamurtarit, që përfundoi 2:2. Vushtrria shumë më herët është përshëndetur me elitën, kurse Flamurtari ka lëshuar pikë të rëndësishme në garën për ekzistencë. Flamurtari renditet i shtati me 38 pikë. Vushtrria është e parafundit me vetëm 17 pikë.
Të shtunën janë ndeshjet Feronikeli – Gjilani dhe Dukagjini – Ballkani. Të dielën Llapi e pret Dritën kurse Ferizaj takohet me Trepçën ’89.