Ka nisur edicioni i ri në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, ku sot janë zhvilluar dy ndeshje. Prishtina ka shënuar fitore në duel me Feronikelin 74, me rezultat 3:1, në ndeshjen e zhvilluar në Kampin Nacional në Hajvali. Prishtina e shfrytëzoi epërsinë numerike në fushë, pasi në minutën e 28-të Behar Maliqi u ndëshkua me karton të kuq. Vetëm gjashtë minuta më pas bardhekaltrit e gjetën rrugën e golit, kur Egzon Sinani realizoi me gjuajtje me kokë. Epërsinë në 2:0 e shtoi Hasan Hyseni, në minutën e 61-të, derisa shifrat në 3:0 i çoi Jalen Bielsa, në minutën e 69-të, me golin e shënuar me kokë nga afërsia. Ndërkaq mysafirët golin e nderit e shënuan në minutën e 86-të përmes Fiton Hajdarit.
Ndërkohë, Malisheva ka shënuar fitore si mysafire në Klinë në ballafaqim me Dukagjinin, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj ndeshje e shënoi Arlind Veliu, me të filluar pjesa e dytë.