Kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, njëherit edhe nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili ka njoftuar se kanë prishur koalicionin qeverisës me LDK-në në Prishtinë.
Ismaili përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se i ka dorëzuar shkresën zyrtare për prishje të koalicionit, kryetarit Përaprim Rama.
“Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës sot, PDK mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc. Sapo dërgova shkresën zyrtare tek Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre”, ka shkruar Ismaili.
Ai ka shtuar se për dy vjet shërbim, ekipi i PDK-së solli një dinamikë të re në Kryeqytet dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në secilin dikaster.
“Nën udhëheqjen e shkëlqyer të Nënkryetares Sahatçiu, drejtoritë e udhëhequra nga PDK janë vlerësuar si drejtoritë me performancën më të mirë, brenda dhe jashtë. Gjallërinë, sinqeritetin, pozitivitetin dhe dinamikën që e kishim në fushatën tonë “Prishtina na Bashkon” e kemi përçuar edhe në qeverisjen e Kryeqytetit dhe qytetarët janë dëshmitarët më të mirë për këtë gjë”, u shpreh Ismaili.
Ismaili ka shtuar se nuk do të jenw pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet.
“Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitiat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në Kryeqytet”, ka shkruar ai.