Prindërit argjentinas mbesin trembëdhjetë mijë kilometra larg foshnjës së porsalindur shkaku i koronavirusit

Jose Perez dhe Flavia Lavorino, që janë nga Buenos Airesi, ende nuk kanë takuar foshnjën e tyre, Manu, që është lindur përmes nënës surrogate në Kiev, afro trembëdhjetë mijë kilometra larg. Mbyllja e shumë vendeve ka bërë që prindërit e ri mos të kenë mundësi të udhëtojnë nga Argjentina për në Ukrainë.

Çifti argjentinas, që ka parë vetëm fotografi dhe video të Manus, tani po shikon mundësi për të udhëtuar për në Ukrainë, ndonëse Ukraina në mars ka ndaluar hyrjen e qytetarëve të huaj.

Jose e Flavia janë në mesin e qindra çifteve nga Evropa, SHBA-ja dhe pjesë tjera të botës, që e kanë pasur të pamundur të marrin foshnjat e tyre të lindura nga nënat surrogate në Ukrainë. Lindja e fëmijëve nga nënat surrogate është e lejuar me ligj në Ukrainë.

“Çdo prind që mendon për foshnjën që e ka larg e kupton brengën dhe dhembjen”, ka thënë babai Perez për Reuters, në Buenos Aires të Argjentinës. “Fjalët ‘brengë’ dhe ‘dhembje’ në fakt nuk përshkruajnë ndjenjat që kemi. Është situatë shumë e vështirë. Ne marrim fotografi dhe video të Manus një herë në javë. Ata bënë një videolidhje me ne kur ai bëri një muaj, por është shumë e vështirë”.

Hoteli Venice ku Manu dhe foshnjat tjera janë bllokuar, i takon klinikës BioTexCom, që ka lëshuar pamje të foshnjave për të rritur ndërgjegjësimin e publikut dhe për të nxitur qeverinë e Ukrainës për të vepruar më shpejtë.

Qeveria ka thënë se do të lejojë prindërit të hyjnë në Ukrainë vetëm nëse pranon kërkesë nga ambasadat relevante.

Flavia Lavorino ka thënë se zhgënjimi është rritur pas shenjave për realizimin e më shumë fluturimeve për në Ukrainë dhe për faktin se çifte tjera kanë arritur në Kiev me ndihmë diplomatike.

“Nuk kuptojmë ku është problemi. Nuk na kanë dhënë përgjigje logjike. Fluturime ka”, ka thënë ajo.

Njerëz në gjithë botën janë bllokuar për shkak të pandemisë së koronavirut. Kanë vdekur mbi 313 mijë persona deri më tani, ndërsa janë infektuar afër pesë milionë njerëz.

Për Perezin dhe Lavorinon, qëndrimi një gjysmë bote larg foshnjës së tyre është dëshmuar si shumë e vështirë.