Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), pritet shumë shpejt ta zyrtarizojë sllovenin Primoz Gliha si përzgjedhës të ri të Përfaqësueses së Kosovës.
Drejtuesit e FFK-së janë tash e disa javë në punë për të gjetur përzgjedhësin e ri pas largimit të Alain Giresse.
Tani thuhet se përzgjedhësi i ri është gjetur dhe shumë shpejt pritet të konfirmohet me anë të një njoftimi zyrtar.
Sipas burimeve të Telegrafit, slloveni Primoz Gliha do të emërohet përzgjedhës i ri i Dardanëve.
Gliha thuhet se ka nënshkruar marrëveshjen me FFK-në dhe do ta drejtojë Kosovën në gjashtë ndeshjet e mbetura kualifikuese për “Euro 2024”.
Ndihmës të Glihas do të jenë dyshja e njohur nga Kosova, Afrim Tovërlani, i cili është trajneri i ekipit të Kosovës U-21 dhe Arbnor Morina.
Vlen të theksohet se slloveni është një emër i njohur për Kosovën, pasi ka disa vite që punon me Dardanët dhe pas largimit të Challandes pati drejtuar ekipin në ndeshjet ndaj Jordanisë dhe Greqisë në vitin 2021. /Telegrafi/