Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se kanë paraqitur aktakuza në Dhomat e Specializuara ndaj Presidentit Hashim Thaçit dhe kreut të PDK’së, Kadri Veselit, raporton Gazeta Express.
Sipas njoftimit, Thaçi dhe Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
“ Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, Prokurori i Specializuar bënë të ditur se Thaçi dhe Veseli kanë penguar dhe sabotuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim./Express/