Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, por vendimin për dekretimin ose jo të tij nuk e ka marrë ende presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Rreth një vit pas propozimit të Isufajt, Zyra e Presidentit të Kosovës ka thënë se një vendim rreth dekretimit ose jo të Kryeprokurorit të Shtetit do të merret në fund të muajit prill.
Afati për nxjerrjen e një vendimi, sipas Bekim Kupinës, këshilltarit për media të presidentes Vjosa Osmani, ndërlidhet me procedurat gjyqësore të hapura nga kundër-kandidatët e Blerim Isufajt në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit.
“Presidentja e ka sqaruar publikisht se duke qenë se ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundërkandidatë, Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore që kanë në dispozicion kundërkandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore”, ka thënë Kupina për portalin Arbresh.info.
“Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, ka deklaruar Kupina.
Më 6 prill të vitit të kaluar, Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte propozuar Blerim Isufajn për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte thënë se procesi i përzgjedhjes ishte “plotësisht legjitim”, pavarësisht prej kundërshtimeve që procesi kishte hasur nga organizatat e shoqërisë civile dhe ambasadat e huaja në Kosovë.
KPK-ja kishte deklaruar se ka zhvilluar “të gjitha procedurat e parapara dhe në përfundim ka propozuar për emërim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj”. Procedurat, sipas KPK-së, janë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Javën e kaluar, KPK-ja i kërkoi presidentes që ta trajtojë urgjentisht propozimin për dekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.