Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar ekipit të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, të kryesuar nga Nathalie Loiseau, që të sigurohet se në veri të vendit po realizohet e drejta e votës së lirë plotësisht.
Ajo ka takuar ekipin në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për të siguruar një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
“Presidentja Osmani, bazuar në raportet e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të kaluara, përfshirë raportet e misioneve vëzhguese të BE-së, të cilat kanë konstatuar se në komunat veriore të Republikës së Kosovës ka pasur ndërhyrje të paligjshme, frikësim dhe pengim të realizimit të së drejtës për votim të lirë, shtroi nevojën që vëzhguesit e këtij Misioni të BE-së, të sigurohen se e monitorojnë se a po realizohet e drejta e votës së lirë në plotëni, konform standardeve më të larta demokratike në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, u njoftuar përmes Zyrës së Presidentes.
Osmani ka kërkuar po ashtu që ky mision të përfshijë një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor. Ajo theksoi rëndësinë e përfaqësimit të grave në listat zgjedhore, buxhetimin gjinor, praninë e tyre në media, si dhe trajtimin e çështjeve të dhunës me bazë gjinore gjatë fushatës, përfshirë dhunën në internet. Në këtë kontekst, gjithashtu ritheksoi kërkesën që ky Mision, të fokusohet edhe në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, posaçërisht sa i përket qasjes së tyre në vendvotime.