Presidentja Osmani uron Trumpin: Mezi pres të punoj me administratën e re

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar republikanin Trump dhe kandidatin e tij për nënpresident, Vance për fitore si “president dhe nënpresident të Shteteve të Bashkuara”.

“Shtetet e Bashkuara mbesin partnere të palëkundura dhe të domosdoshme të Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re, dhe të thellojmë lidhjet tona unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë”, ka thënë Osmani përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Rikujtojmë sërish se kandidati i republikanëve, Trump nuk është shpallur ende zyrtarisht si president.

Kosova njihet si një prej shteteve më proamerikane në botë.

SHBA-ja ka ndarë për këtë shtet mbi 2 miliardë dollarë prej vitit 1998.

Mbështetja amerikane ka qenë vendimtare për nisjen e bombardimeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 1999, dhe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë.

Uashingtoni ka qenë ndër të parët që e ka njohur shtetësinë e Kosovës, më 2008.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e përsërisin shpesh që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.