“Mënyra se si u komunikua”, duket se ka sjellur tensione mes Qeverisë së Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar, rreth çështjes së dinarit.
Kështu po vlerëson presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Ajo në një intervistë për televizionin arab “Al Aan”, tha se duhet të dilet nga kjo situatë duke arritur një marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë, për zbatimin e rregullorës së re të Bankës Qendrore të Kosovës, njofton Klankosova.tv.
“Ka hapësirë për t’u ulur dhe për të diskutuar mes qeverisë dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë, për të punuar rreth kësaj çështjeje”, tha Osmani.
Osmani u shpreh e bindur se do të gjendet një zgjidhje rreth kësaj teme, duke shtuar se gjithçka që është arritur në vend është “si rezultat i bashkëpunimit me aleatët”.
“Do të ishte qesharake të mos zgjidhej”, shtoi e para e vendit.
Tema e dinarit, ka shkaktuar reagime të shumta.
Qeveria është kritikuar nga zyrtarët e lart amerikanë.
Nënsekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brien, para disa ditësh deklaroi se “Nëse Qeveria e Kosovës, nuk e konsideron ShBA-në si partner, as qeveria nuk do të konsideohet si partner i ShBA-së”.
Edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovernier, tha se kjo çështje e ka prekur cilësinë e raportive Kosovë – Shtete të Bashkuara të Amerikës.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.
Kjo rregullore, të vetmen valutë për pagesë e njeh Euron.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, intervistën për televizionin arab e ka dhënë më 8 shkurt.