Presidentja Osmani: Qëndrimi im për planin franko-gjerman nuk ka ndryshuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Presidentit të ShBA-së, me një aktivitet ku merrnin pjesë dhe një grup fëmijësh, te shtatorja e Presidentit Bill Clinton në Prishtinë.

Osmani pas aktivitetit, nuk ka komentuar më shumë në pyetjet e gazetarëve rreth planit franko-gjerman, duke thënë që qëndrimi i saj lidhur me këtë çështje nuk ka ndryshuar.

“Dihet qëndrimi im për planin franko – gjerman, nuk ka ndryshuar”, ka thënë tutje Osmani.

Osmani më 7 shkurt, ka thënë se qëndrimi i Kosovës për planin franko-gjerman është i qartë, është platformë e mirë që ka qëllim më tepër paqe e stabilitet në rajon.

Por, Osmani thotë se ka shumë gjëra që duhet biseduar, si çështja e garancave ndërkombëtare sa i përket funksionalitetit të brendshëm të Kosovës e po ashtu edhe garancave sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Qëndrimet e Republikës së Kosovës sa i përket planit franko-gjerman kanë qenë të qarta që nga propozimi i dokumentit në shtator. E kemi konsideruar gjithnjë si platformë të mirë, si iniciativë që ka për qëllim më shumë paqe e stabilitet në rajonin tonë. Si iniciativë që dinamizon dialogun dhe si bazë e mirë, platformë e mirë për diskutime të mëtejme. Të tillë si platformë të mirë e të pranueshme, ashtu e kkonsiderojmë edhe sot, por gjithnjë duke potencuar se ka akoma shumë gjëra që duhet sqaruar në proces, ndër të tjera të negociohet plani i zbatimit. Sekuencimi i obligimeve që dalin nga kjo draft-marrëveshje, e për Kosovën është tejet me rëndësi që të negicojmë, në këtë rast jo me Serbinë, por me partnerët tanë ndërkombëtarë, pra garancatë ndërkombëtare që ne i marrim sa i përket ruajtjes së funksionalitetit të brendshëm të Kosovës, që mos të shnëdërrohet në shtet jofunksional me më shumë probleme sesa zgjidhje. E dyta garancaa që marrim në rrafshin ndërkombëtarë, sa i përket njohjeve e anëtarësimit të Kosovës në organizatë ndërkombëtare. Këto janë diskutime që ende nuk janë shterur”, ka thënë Osmani në konferencë për media në Podgoricë pas takimit me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Osmani ka thënë se do të ketë diskutime të mëtejme, si dhe takime të nivelit të lartë në Bruksel. Osmani ka thënë se ka 30 marrëveshje të nënshkruar në Bruksel, e pjesën dërrmuese të tyre Serbia nuk i zbaton.