Presidentja Osmani për vrasjen e 18 vjeçares: Të gjenden e të dënohen përgjegjësit

Presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar rreth rastit të rëndë të vrasjes makabre të 18-vjeçares, e cila u dërgua dhe u la e vdekur në emergjencën e këtij qyteti dje.

Osmani i ka bërë thirrje të secilit qytetarë që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e vrasësit të viktimës nga Ferizaj.

“Për vajzën 18- vjeçare që e vranë në Ferizaj duhet të ketë drejtësi. Vetëm drejtësia e dënimi për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës mund të ndryshojë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në Kosovë”.

“Ne nuk mund të heshtim apo të vazhdojmë të lejojmë trajtimin e këtyre rasteve si çështje familjare. Jemi dëshmitarë të vrasjeve si rezultat i shmangies nga ligji të dhunuesve, ndaj kjo situatë duhet të marrë fund. Si Presidente e vendit i bëjë thirrje secilit qytetar që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e vrasësit të viktimës nga Ferizaji. U bëjë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të punojnë fort dhe pandërprerë derisa kryesit e veprave të tilla të gjenden prapa grilave”.

Osmani mes tjerash ka thënë se dhuna ndaj vajzave dhe grave kërcënon paqen teksa familjarëve, miqve dhe gjithë shoqërisë së vajzës u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta.

“Dhuna ndaj vajzave e grave kërcënon paqen për të gjithë dhe mirëqenien e përgjithshme, por shoqëria jonë duhet të jetë e palëkundur dhe e vendosur në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit e dhunës ndaj vajzave e grave”.

“Familjarëve, miqve dhe gjithë shoqërisë së vajzës së ndjerë u shprehu ngushëllime të sinqerta! Shpirti i saj do të pushojë në paqe atëherë kur të ketë drejtësi. Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën nga ata që po marrin jetë e po i ikin përgjegjësisë” ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.