Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë kundër propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si të kundërligjshme dhe të dëmshme për qytetarët.
Përmes një njoftimi, Presidenca ka bërë të ditur se ka analizuar raportet konsultative mbi përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Presidenca ka kërkuar nga ZRRE-ja që të angazhohet në një dialog me Qeverinë për të shqyrtuar mundësinë e subvencionimit për konsumatorët e prekur nga rritja e çmimeve.
“Praktika të tilla janë përdorur edhe në vitin 2022 gjatë shqyrtimit të tarifave, ku pjesa e subvencionimit ishte përfshirë në llogaritjen finale të tarifave. Kostoja për Qeverinë do të kishte efekt më të vogël në krahasim me ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për qytetarët dhe pasojat e saj në rritjen e inflacionit”, thuhet në komentin e Presidencës.
Sipas Presidencës, propozimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike bie ndesh me kornizën ligjore që detyron ZRRE-në të sigurojë mbrojtjen e konsumatorit dhe nuk merr parasysh situatën ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve.
Gjithashtu, është theksuar se një rritje e tillë e çmimit do të rëndonte ndjeshëm barrën financiare të qytetarëve. Në Presidencë kanë vlerësuar se “ky veprim do të mund të shkaktonte valë të re inflacioni në vend dhe të ndikonte drejtpërdrejt në rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve”.
“Rritja e çmimit të energjisë ka një ndikim të madh dhe të drejtpërdrejtë në ekonominë e një vendi. Çmimi i energjisë lidhet ngushtë me inflacionin dhe koston e jetesës. Prandaj, shprehim shqetësimin tonë se një rritje e tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, duke rritur barrën e tyre financiare. Kjo do të përfshinte gjithashtu edhe rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve thelbësore”, thuhet në komentin e dërguar nga Presidenca.
Si masa të menjëhershme, Presidenca propozon menaxhimin e duhur të shpenzimeve dhe humbjeve, subvencionimin e energjisë, identifikimin e masave shtesë për pagesën e faturave mujore në veri, heqjen ose uljen e përkohshme të TVSH-së për energjinë elektrike dhe hartimin e një programi për shtyrjen e pagesave.
Në periudhën afatmesme, rekomandohet menaxhimi më efikas i KEK-ut, planifikimi i burimeve energjetike, përmirësimi i efikasitetit të furnizimit me energji dhe vazhdimi i programeve të efiçiencës.
Ndërsa, për masat afatgjata, Presidenca sugjeron ndërtimin e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike dhe nënshkrimin e marrëveshjeve për tregtinë ndërkufitare me shtetet aleate.