Presidentja Osmani dekretoi 48 gjyqtarë me mandat fillestar

Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka dekretuar sot 48 gjyqtarë.

Këta gjyqtarë janë dekretuar me mandat fillestar për tri vite, dhe do të sistemohen në Gjykatat Themelore.

Në ceremoninë e betimit para Presidentes së vendit, gjyqtarët e rinj janë betuar se: “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale, si dhe do të kryejnë me besnikëri në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme detyrat e tyre”.

Ndërkaq, Presidentja Osmani ka theksuar se integriteti dhe profesionalizmi duhet të jenë parimi bazë i punës së tyre.  Sipas saj, gjyqtarët e rinj duhet të angazhohen për një sistem të drejtësisë të pavarur, të pa ndikuar dhe profesional, sepse shteti i së drejtës është bazament i zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë.