Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë udhërrëfyesin për shtensionimin e situatës veri të Kosovës.
“Ekziston një plan shumë i qartë dhe i përkushtuar për de-përshkallëzimin, një udhërrëfyes për të cilin të dyja palët punuan në fillim të këtij viti. Kjo është absolutisht jetike për të ecur përpara në një mënyrë paqësore. Dhe është e qartë se të dyja palët duhet të përmbushin atë që u ra dakord”, tha von der Leyen para fillimit të ditës së dytë të Samitit të NATO-s në Lituani.
Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.
Dakordimi u arrit në një takim joformal në Bratislavë ndërmjet përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbis, Miroslav Lajçak dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.
Qeveria e Kosovës tha se të gjitha hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.
Po ashtu, Kosova dhe BE-ja janë pajtuar edhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë.
Sa i përket takimit mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, REL merr vesh se ai do të mbahet javën e ardhshme.
Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Ndryshe, Kosova ka kërkuar vazhdimisht që të nisë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që u arrit në Bruksel më 27 shkurt. Palët, më 18 mars në Ohër arritën edhe Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit. /Rel/