Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kaluar këtë të diel në fshatin e tij në lindjes në Burojë. Në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi ka publikuar një fotografi me prindërit e tij.
“Në vendlindje, me prindërit. HTH”, shkroi Thaçi në mbishkrimin e fotografisë ku shihet në shoqërinë e prindërve.
Nuk dihet nëse kjo është arsyeja që Thaçi shtyu për të hënën adresimin e tij para opinionit pas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Ditë më parë, prindërit e Thaçit u shprehën krenarë për veprimet e të birit, derisa thanë se ai do të dalë fitimtar në këtë situatë, pasi ‘është në rrugën e drejtë’.
Thaçi ka qenë jashtë Kosovës dhe ka ndërprerë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, ku pritej të mbahej takimi në mes të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e dialogut, me ndërmjetësim të ambasadorit Richard Grenell.