Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Zagrebit që do të mbahet pasditen e sotme.
Presidenti Thaçi shprehu mirënjohje për këmbënguljen e Kroacisë që të mbahet Samiti i Zagrebit edhe në kushtet e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.
“Jemi mirënjohës që keni insistuar që samiti të mbahet edhe në këto kushte dhe që po mbani Ballkanin Perëndimor lart në agjendën e BE-së”, u shpreh presidenti Thaçi.
“Kosova dhe Kroacia janë partnerë strategjikë në rajon dhe në perspektivën evropiane”, shtoi Presidenti i Republikës së Kosovës.
Kroacia është kryesuese e radhës e BE-së në gjysmën e parë të këtij viti dhe e ka prioritet të kryesimit të saj afrimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor.