Presidenti Thaçi konfirmon takimin me Vuçiqin: Pres të më mundësohet raportimi në Kuvendin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka konfirmuar takimin në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Takimi sipas tij, është bërë me ftesë të emisarit special për dialogun, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

Presidenti ne një postim në profilin e tij, në rrjetin social Facebook, ka thënë se për takimin kërkon të raportojë në Kuvend lidhur me takimin e sotëm.

“Sapo përfundova një takim të përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien. Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump”.

“Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm. Duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë. SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë!”, ka shkruar presidenti i Kosovës Hashim Thaci në Facebook: