Presidenti Thaçi: Haxhi Shala më kërkoi këshilla për votën, ora e vizitës u ekzagjerua

Presidenti Hashim Thaçi ka folur për vizitën e tij të vonshme në shtëpinë e deputetit Haxhi Shala, një natë para se të votohej Qeveria Hoti.

Ai po thotë se për këtë takim nuk duhet të flitet për ndonjë konspiracion, pasi që sipas tij, ishte i zakonshëm për t’i dhënë këshilla Shalës për çështjen e dhënies ose jo Qeverisë Hoti, njofton Klan Kosova.

“Nëse dikush më kërkon opinion unë do t’ia jap. Nuk e kam problem që të takohem me miq, njihemi që 20 vjet e kam mik të mirë, jam mirënjohës që më ka pyet, ia kam dhënë opinionin tim, natyrisht në funksion të ndërtimit të institucioneve dhe jo bllokadës dhe shpërbërjes së institucioneve. Mirëmbajtja dhe funksionimi i institucioneve është obligim i imi, kështu që kushdo që kërkon këshillë përse mos t’ia jap”.

“Me Shalën ne njihemi që më tepër se 20 vjet dhe kemi qenë bashkëluftëtarë, jemi miq, jemi edhe familjarë, kemi punuar në një parti bashkë, e vlerësoj punën dhe angazhimin e tij. Ai e ka kërkuar mendimin tim si mund të lëvizet përpara dhe ia kam ofruar”.

Thaçi në Rubikon tha se koha kur është bërë takimi është i parëndësishëm sikurse s’ka rëndësi nëse Shala i ka ftuar ose jo.

“Është e parëndësishme a më ka ftuar ai apo jo. Ora është e ekzagjeruar. Haxhiu është i fundit që i jap këshilla. Kam dhënë këshilla edhe më herët. Unë e vlerësoj sinqeritetin e tij. Vendimi është i tij, nëse ai ka menduar se na nderon me atë qëndrim të tij, mendoj se e ka nderuar vendin dhe shtetin dhe ndërtimin e institucioneve. Nëse ai ka vlerësuar se në emrin e tij unë jam mirënjohës”.

Thaçi tha se s’ka pasë ndonjë qëllim partiak duke e bindur Shalën që të votojë pro duke shtuar se këtë e bëri me qëllim të ndërtimit të institucioneve.

“Presidenti e ka pikërisht këtë detyrë për ruajtjen e institucioneve. Nuk loboj as për këtë parti as për atë tjetrën. Nuk ka asgjë të keqe takimi. E keqe është kur nuk takohen njerëzit – edhe privatisht edhe miqësisht”.

Ndërsa, për miqësinë e tij me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj tha se kontributi i përbashkët që kanë dhënë në luftë tejkalon politikat ditore.

Por, Haxhi Shala kishte thënë se ai nuk i kishte ftuar, por vetëm i ka parë te dera e shtëpisë presidentin Thaçi dhe ish-kryeministrin Haradinaj.

“As nuk më kanë ftuar as s’i kam ftuar, veç kur i pashë te shtëpia. Më shpjeguan se vendi shkon në zgjedhje apo krizë. Thanë që varet krejt nga vota juaj. Ju kam miq dhe bashkudhëtarë. Edhe konakun edhe miqësia vjetër nuk mund të kthehet prapa. Ju thasë se: Ju dy edhe djalin me ma lypë ua kisha dhënë. Vota ime është për këta dy persona”.