Vogëlushja me Sindromën Down, Ëmbla Ademi, të cilës iu pamundësua vazhdimi i mësimit në një klasë me shokët dhe shoqet e saj pasi që prindërit e nxënësve të tjerë nuk duan që ajo të jetë në të njëjtën klasë me fëmijët e tyre, është përcjellë sot për në shkollë nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Pendarovski i ka bërë vizitë asaj të hënën duke e dërguar në shkollë dorë për dore, bashkë me familjarët e saj.
Ëmbla tani po vazhdon shkollimin sikurse të gjithë fëmijët e tjerë, falë reagimit nga opinioni publik.
Babai i Ëmblës, Ilir Ademi, kishte rrëfyer se e bija që nga shtatori ka pasur asistent arsimor, por shpesh i është dashur t’i ndërrojë klasat dhe mësueset.
Këtë e ka pohuar edhe drejtori i Shkollës Fillore “Bashkimi”, Ziadin Nuredini, i cili ka thënë se Ëmbla me moshatarët mëson vetëm disa nga orët mësimore, ashtu siç janë dakorduar edhe me prindërit e fëmijëve të tjerë.
Rikthimin e Ëmblës në shkollë e ka bërë të ditur këtë javë Ministri i Arsimit i Maqedonisë Veriore, Jeton Shaqiri.
Vogëlushja nga Gostivari e kishte e ndërprerë mësimin pasi prindërit e nxënësve që ishin në klasën e saj kishin bërë peticion që Ëmbla të largohet nga klasa.
“Për kënaqësinë time personale dhe akoma më shumë për kënaqësinë e familjarëve të saj dhe mbi të gjitha për kënaqësinë e saj, sot ajo është sërish mes shokëve të klasës dhe jashtëzakonisht e lumtur që vazhdon të marrë njohuri të reja, të përparojë dhe të krijojë miqësi me bashkëmoshatarët e saj”, kishte shkruar ministri Shaqiri në Facebook.