Presidenti Begaj të hënën do ta ketë vizitën e parë në Kosovë

23 ditë pasi mori detyrën e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, të hënën do ta vizitojë Kosovën për herë të parë si kreu i ri i shtetit shqiptar.

Për qëndrimin zyrtarë në Kosovë të Presidentit të ri shqiptar, ka njoftuar Zyra e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Presidenti Begaj në ora 12:15 parashihet të pritet në kabinetin e tij nga Kryeparlamentari Glauk Konjufca.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj”, bëhet e ditur në agjendën e Konjufcës për të hënën, 15 gusht 2022.

Bajram Begaj u votua për President t ri të Shqipërisë nga Kuvendi shqiptar, më 4 qershor 2022, i mbledhur në një seancë të posaçme parlamentare. Derisa, detyrën e mori me 24 korrik 2022.

Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.