Pasi presidentja Vjosa Osmani, e përcaktoi 9 shkurtin e 2025-tës për zgjedhjet paralamentare, Presidenca thotë se kjo është një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira.
“Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar”, shkroi në Facebook Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes.
“Për më tepër, Presidentja Osmani tashmë ka ftuar BE-në që të dërgojë një mision për vlerësim preliminar, ndërkaq sipas praktikave, do t’i drejtohet sërish BE-së sa i përket misionit vëzhgues, ku do të propozohet që të monitorohet edhe periudha e fushatës, e jo vetëm dita e zgjedhjeve”, shtoi ai.
Kupina tutje tha se duke pasur parasysh që edhe prezenca e ekipeve monitoruese mund të afektohet nga periudha e festave, edhe kjo u mor parasysh në përcaktimin e datës së zgjedhjeve.
“Presidentja, do të kërkojë që në veçanti të monitorohet aspekti i barazisë gjinore, si në kohë fushate (debatet, pjesëmarrja, buxhetimi, dhuna virtuale, etj), ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve”, shkruan tutje në kumtesë.
Aty tutje thuhet se, përgjatë takimeve, Osmani vazhdimisht ka potencuar që duhet te ketë kohë të mjaftueshme që të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura edhe për votimin e mërgatës në përputhje me ligjin e ri.
“Presidentja, së shpejti, do t`i ftojë të gjitha partitë politike që ta nënshkruajnë një listë zotimesh të përbashkëta, me të cilat shprehet përkushtimi i tyre për t`i ruajtur standardet më të larta në këtë proces zgjedhor”.