Presidenca: Abdixhiku nuk ka dorëzuar asnjë kërkesë për takim me Osmanin


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, pas takimit të organizuar sot me gazetarët e opinionistët, ka thënë se do të ketë takim edhe me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth situatës së krijuar në Kosovës.

Por, nga Zyra e Presidentes deklaruan se ende nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për takim.

Këshilltari për media Bekim Kupina, tha se dera e institucionit të Presidencës vazhdon të jetë e hapur.

“Pavarësisht kësaj, dera e institucionit të Presidencës vazhdon të jetë e hapur për liderë institucionalë dhe parti politike, në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror”, deklaroi Kupina për Klankosova.tv

Sot, kreu i LDK-së tha se Kosova është e të gjithëve dhe se nuk mund të mbahet peng nga një ideologji e caktuar.

“Gjendja e tanishme është e rëndë dhe e paprecedentë për Kosovën. LDK-ja nuk mund të qëndrojë duarkryq prandaj kërkon mobilizim përtej vetes për të gjetur zgjidhje për këtë moment të rëndë”, tha ai.

“Për ne është shumë me rëndësi që të dihet se Kosova është e të gjithëve dhe ajo nuk mund të mbahet peng e një ideologjie të caktuar, por që ka të zotë që i dalin ballë popullzimit”, theksoi i pari i Lidhjes Demokratike.