Për një vit në Kosovë kanë ndodhur zhvillime të ndryshme, që janë ndërlidhur me pozitat më të rëndësishme të shtetit. E në këtë rast, Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së e ka sjellë një shprehje për opinionin duke bërë të qartë qëndrimin e subjektit që ai përket. Kur nuk po pajtoheshin dot me LVV-në për Qeverinë, ai tha se kryeministri duhet të kalojë fillimisht ka zyrat e Lidhjes Demokratike. Tash kur nuk po mund të darkodohen për presidentin, Haziri e ka kthyer këtë thënie, raporton Gazeta Express.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për muaj me radhë kishin dialoguar për t’u bërë partner të koalicionit.
Asnjëra nga palët nga takimet e gjata në Kuvend të Kosovës nuk dilte e kënaqur me kushtet që vinte pala tjetër.
Raportet ishin komplikuar kur LDK-ja e kishte kërkuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, dikaster me të cilin gjatë krejt fushatës LVV-ja kishte premtuar se do të bëjnë ndryshime rrënjësore.
Partia e udhëhequr nga Mustafa tutje kërkonte edhe postin e kryeparlamentarit e numër të barabartë të zëvendëskryeministrave, ministrave e zv.ministrave.
Krejt këto kushte ishin bërë të vështira për t’u plotësuar nga Kurti, e njerëzit kryesor të Lidhjes Demokratike thonin se në të kundërtën nuk do të kishte bashkëpunim.
Atëherë ishte lajmëuar nënkryetari i subjektit, Lutfi Haziri me një shprehje që tashmë e ka personalizuar.
Haziri kishte thënë se kushdo që do të bëhet kryeministër, fillimisht do të kalojë ka zyrat e LDK-së, duke u munduar kështu të tregojë rëndësinë e subjektit në fillimin e Qeverisë së re.
“Tashmë dihet që asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme sepse sistemi zgjedhor në Kosovë nuk e mundëson këtë. Ky vend ka nevojë për qeverisje të mirë si për ajër. Por, ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK’së”, kishte shkruar Haziri derisa e kishte publikuar një fotografi në Facebook së bashku me anëtarë të partisë në të cilën ai bënë pjesë, para zyrave të Lidhjes Demokratike.
Se kryeministri kalon ka zyrat e LDK-së, Haziri e ka përsëritur disa herë, e këtë shprehje tashmë e ka ndryshuar tash kur po flitet për cështjen e presidentit.
Mbrëmë Haziri ka porositur subjektet politike që kanë shprehur ambicie për këtë pozitë se në fakt edhe emri i presidentit duhet të i bjen fillimisht ka LDK-ja.
“Nuk është kohë e ultimatumeve. As e kushtëzimeve. Koha për dialog të brendshëm për Presidentin, me konstruktivitet. Emri i #Presidentit kalon nëpër zyrat e #LDKsë”, ka thënë ai në Facebook.