Prapaskenat e “dramës politike” të së premtes të Albin Kurtit: Nga dështimi i numrave e deri tek inicimi i Ligjit për Zgjedhje

Dita e premte për Albin Kurtin e Vjosa Osmanin, nuk kishte përfunduar ashtu siç edhe ishte pritur.

Rreth mesditës së 2 prillit, ditë kjo që do të mbahet gjatë në mend, për shkak të zhvillimeve të jashtëzakonshme politike, Albin Kurti e Vjosa Osmani e konfirmojnë se nuk i kanë të sigurta 80 vota, për të mbajtur seancën për zgjedhjen e presidentit.

Momenti i nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve, ua bëri më të qartë Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, situatën me “numrat”.

Por, Kurti kishte menduar edhe për skenarin B- që nënkuptonte “ultimatum” ndaj opozitës dhe përgatitje për zgjedhjet e reja.

”Rreth mesditës Kurti e Osmani e konfirmojnë saktësisht se nuk i kanë 80 vota për ta mbajtur seancën për zgjedhjen e lideres së Listës Guxo, në krye të shtetit. Me të konfirmuar këtë informatë, Albin Kurti vendos që ta procedoj ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, ku do t’i mundësohej diasporës të votoj nëpër ambasada e konsullata, në mënyrë që nëse shkohet në zgjedhje ta rris votën. Dhe, poashtu ta ndryshoj nenin, ku atij i kufizohet pjesëmarrja në zgjedhje, për shkak se është i dënuar nga Gjykata”, tha ky burim.

Inicimi i ndryshimit të këtij ligji nxiti reagime të shumta nga opozita dhe shoqëria civile.

LDK-ja e Lumir Abdixhikut e Lutfi Haziri edhe pse paralajmëroi se do ta votonte Vjosa Osmanin për presidente, u zu në befasi nga ky skenar i Kurtit.

Dhe, vendosi që të kushtëzoj pjesëmarrjen në seancë.

”Tërhiqe ligjin, ose shkojmë në zgjedhje”, ishte jy “ultimatumi” që Lumir Abdixhiku i bëri Kurtit në Kuvend.

Pavarësisht thirrjes së opozitës, VV e Kurtit u mundua që t’i shmang procedurat parlamentare, dhe qysh dje ta kaloj këtë ligj.

Megjithatë, dështoi. Sepse nuk i pati 2/3 e votave për t’u shmangur nga procedura e zakonshme.

Dështimi i këtij procedimi, sikur u dha kohë të dy partive.

Edhe ndërkombëtarët shtojnë presionin.

Gazeta Blic merr vesh se ambasadorët e QUINT-it kanë kërkuar nga Kurti që ta tërheq ligjin.

Edhe i dyti i LDK-së, Lutfi Haziri në një prononcim për Gazeta Blic ka kërkuar tërheqjen e ligjit.

E, sot në mëngjes Glauk Konjufca ka njoftuar për tërheqjen e ligjit.

Ushtruesi i detyrës së Presidentit, Glauk Konjufca, duke iu referuar ndryshimit të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ka thënë se mazhoranca e Kuvendit duhet të garantojë që të mos bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt.

Sipas tij, opozita nuk duhet ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentit, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura.

“Për ta krijuar një atmosferë të domosdoshme mirëbesimi para se të hyjmë në këtë proces, ata më premtuan dhe garantuan që gjithçka ka të bëjë me ligjin për zgjedhjet do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore”.

“Kështu që, pas vullnetit të qartë që e shprehu mbrëmë opozita me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës, nuk mbetet tjetër veçse të sigurohemi që mazhoranca e Kuvendit të garantojë që mos bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt, kurse opozita që nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentin, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura”.

Megjithëse Konjufca dhe premtime, ky ligj nuk është tërhequr.

Shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka tërhequr propozimin për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Për atë që ndodhi mbrëmë ka reaguar edhe vetë Kurti.

Reagimin e tij të plotë e gjeni në vazhdim:

Një projektligj i vonuar e jo i nxituar

Projektligji i mbrëmshëm është në funksion të garantimit të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mërgata jonë, ndonëse plot vullnet e gatishmëri ta ndihmojë vendin tonë, ka hasur në pengesa të ndryshme në pjesëmarrjen e saj në jetën politike në Kosovë. Ky Projektligj e mundëson votimin e bashkatdhetarëve në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës, pra pjesëmarrjen më të lehtë në proces duke filluar që nga zgjedhjet e ardhshme.

Me anë të këtij Projektligji, synohet lehtësimi i realizimit të së drejtës elementare kushtetuese për votim dhe shprehje të vullnetit të qytetarëve të Republikës me të drejtë vote. Kjo e drejtë deri tani është penguar me qëllim dhe asnjë nga pushtetet e kaluara nuk e ka konsideruar të rëndësishme.

Ky Projektligj nuk ka të bëjë me reformën zgjedhore dhe bazohet në rekomandimet e mëhershme të Avokatit të Popullit. Kosova i ka 55 misione diplomatike (28 ambasada dhe 27 zyra konsullore) të cilat kanë edhe fah postar që duhet të jetë në funksion të pranimit të votave.

Projektligji nuk është ndonjë Ligj i ri. Ky është një Ligj të cilin ne si deputetë e patëm iniciuar që në legjislaturën e gjashtë, patëm vazhduar ta përkrahim miratimin e tij edhe në legjislaturën e shtatë, dhe tani kur janë krijuar rrethanat e përshtatshme për miratimin e tij, e aprovuam dje me opinion pozitiv në Qeveri dhe e përcollëm për miratim në Kuvend në legjislaturën e tetë.

Në vazhdimësi, e së fundmi më 18 shkurt 2021, kemi paralajmëruar se ky do të jetë një nga ligjet e para që do t’i votojmë në Kuvend. Votimi në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës është një e drejtë e vonuar. E në zgjedhjet e kaluara ka qenë e drejtë e mohuar.

Nëse nga rreth 170 mijë aplikacione për t’u regjistruar për votim nga jashtë, me procedura aspak të lehta burokratike dhe qindra euro e dollarë pagesa për shërbim postar, pranohen vetëm 56,375 vota të vlefshme, atëherë këtu problemi është sistemor e institucional. Prandaj edhe ndryshimi duhet të jetë i tillë.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës nuk është i befasishëm dhe as pa plan. Ky projektligj ka qenë prioritar dhe ka marrë mbështetjen e qytetarëve të Republikës brenda dhe jashtë Kosovës. Andaj miratimi i këtij Projektligji është i duhur e i drejtë, i mirë e i dobishëm.

Nëse jo me procedurë të përshpejtuar, ndonëse kemi humbur shumë kohë, atëherë me procedurë të rregullt. Gjithçka në mënyrë ligjore, për ta përmirësuar një ligj kaq të rëndësishëm.

Partitë parlamentare të cilat janë në Kuvend të Republikës për shkak të vullnetit të qytetarëve, nuk kanë se si të jenë të shantazhuara nga mekanizma që lehtësojnë shprehjen e zgjedhjes së qytetarëve, shprehjen e vullnetit të popullit, i cili është burim i sovranitetit të shtetit.

Se ka aso që nuk u pëlqen ky projektligj ka qenë e pritur, por ky panik histerik për votimin e mërgatës është befasues.

Ne nuk mund dhe nuk duam ta çojmë vendin në zgjedhje të sërishme sepse ne duam ta zgjedhim Presidenten e re. Ata që nuk e duan zgjedhjen e Presidentes, ata që nuk e duan Presidenten, që kanë bërë e po bëjnë luftë speciale kundër saj, mund ta çojnë vendin në zgjedhje. Me zgjedhjen e tyre ata i kanë zgjedhjet në dorë: ose mbi 80 vota në kuti për Vjosa Osmanin, ose mbi 500 mijë vota në kuti për Lëvizjen VETËVENDOSJE!.