Qeveria Kurti e ka finalizuar Projektligjin për Zyrtarët Publik, me të cilin do t’i rregullojë marrëdhëniet e punës së zyrtarit publik në institucionet e vendit.
Demokracia.com ka arritur të sigurojë versionin final që ka shkuar tanimë për konsultime, ku shërbimi civil pëson ndryshime të shumta dhe bëhet lehtësisht i ndikueshëm ndaj çdo qeverie që vjen në pushtet.
Ajo që bie në sy në këtë projektligj është që edhe pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues tani i kanë bërë me emërim dhe mandat të caktuar. Të emëruarit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, të cilët kanë qenë në shërbimin civil para emërimit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, sipas këtij projektligji, sistemohen në një pozitë të lirë të kategorisë profesionale, me kusht që plotëson kriteret për emërim në pozitën në fjalë. Por, përjashtimisht me këtë, të emëruarit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, të cilët nuk kanë qenë në shërbim civil, pas përfundimit të mandatit lirohen nga shërbimi civil.
“Neni 46
Emërimi dhe mandati në pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues
- Kandidati për pozitën e nivelit të ulët apo të mesëm drejtues, i vlerësuar nga komisioni i pranimit me pikët më të larta dhe mbi pragun minimal të 70 % të pikëve të përgjithshme të vlerësimit, konsiderohet kandidat fitues dhe emërohet në pozitën përkatëse, për një mandat me kohëzgjatje prej katër (4) vite.
- Kandidati i përzgjedhur sipas paragrafit 1 i këtij neni, emërohet në detyrë nga njësia përgjegjëse.
- Pas përfundimit të mandatit, nëpunësi civil ka të drejtë të konkurrojë për të njëjtën pozitë të cilën e ka mbajtur ose në ndonjë pozitë tjetër të lirë në shërbimin civil.
- Të emëruarit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, të cilët kanë qenë në shërbimin civil para emërimit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese sistemohen në një pozitë të lirë të kategorisë profesionale, me kusht që plotëson kriteret për emërim në pozitën në fjalë. Përjashtimisht, të emëruarit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, të cilët nuk kanë qenë në shërbim civil, pas përfundimit të mandatit lirohen nga shërbimi civil.
- Deri në emërimin në një pozitë të kategorisë profesionale, sipas paragrafit 4 të këtij neni, nëpunësi civil vendoset në listën tepricë dhe gëzon të drejtat ashtu siç përcaktohet në nenin 66 të këtij ligji.
- Refuzimi për t’u emëruar në pozitën e kategorisë profesionale, të caktuar nga njësia përgjegjëse, përbën shkak për lirimin e nëpunësit nga shërbimi civil.
- Qeveria e Kosovës, me propozim të ministrit përgjegjës për administratën publike, miraton, me akt nënligjor, rregullat e hollësishme për zbatimin e këtij neni.
- Rregullat e hollësishme për zbatimin e këtij neni për nëpunësit në institucionet e pavarura kushtetuese rregullohet me këtë ligj dhe me akt të veçantë të miratuar nga organet kompetente të këtyre institucioneve”, thuhet në këtë nen, raporton Demokracia.com.
Po ashtu, ndryshim i madh është edhe parashikimi i listës tepricë, me të cilën synohet të largohet të gjithë të padisiplinuarit që nuk pranojnë të risistemohen siç do administrata.
Në nenin 66 të këtij projektligji të siguruar nga Demokracia.com, thuhet se nëse brenda afatit prej nëntë (9) muajsh nëpunësi civil nuk ricaktohet në ndonjë pozitë të lirë të shërbimit civil, kjo përbën shkak për lirim nga shërbimi civil.
“Neni 66
Lista tepricë
- Nëpunësit civil, të cilët pas shuarjes apo ristrukturimit të institucionit nuk janë transferuar sipas nenit 65, apo rasteve të tjera të parapara me ligj nuk mund të sistemohen, do të vendosen në listë tepricë.
- Ministria përgjegjëse për administratë publike, kujdeset për sistemimin e nëpunësve civil tepricë në kategori të njëjtë të shërbimit civil, si dhe trajnimin për pozitën përkatëse ku sistemohet.
- Refuzimi për t’iu nënshtruar trajnimit përbën shkak për lirim nga shërbimi civil.
- Nëse brenda afatit prej nëntë (9) muajsh nëpunësi civil nuk ricaktohet në ndonjë pozitë të lirë të shërbimit civil, kjo përbën shkak për lirim nga shërbimi civil.
- Të drejtat dhe detyrimet sipas këtij neni vlejnë për aq kohë sa nëpunësi civil në listën tepricë nuk ka marrëdhënie tjetër pune.
- Të drejtat dhe detyrimet e nëpunësve civil tepricë, duke përfshirë pagat dhe trajnimin e tyre, përcaktohen nga Qeveria me akt nënligjor pas propozimit të ministrisë përgjegjëse për administratën publike dhe ministrisë përgjegjëse për financa”, thuhet në këtë nen të Projektligjit për Zyrtarët Publik.
Ndërsa, në nenin 98, ku parashihen dispozitat kalimtare, thuhet se një vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, për të gjitha pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues do të shpallet procedura e rekrutimit përmes konkursit të hapur dhe publik, përjashtimisht për pozitat të cilat kanë qenë të lira dhe janë plotësuar gjatë fazës transitore të rekrutimit sipas nenit 97 të këtij ligji.
“Neni 98
Dispozitat kalimtare
- Nëpunësi civil në marrëdhënie pune në shërbimin civil, në pajtim me Ligjin Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik dhe që mban një pozitë ekuivalente me pozitat e nëpunësve civil sa i përket funksioneve dhe përgjegjësive, konsiderohet nëpunës civil sipas nenit 2, paragrafi 3 të këtij ligji, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
- Një (1) vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, për të gjitha pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues do të shpallet procedura e rekrutimit përmes konkursit të hapur dhe publik, përjashtimisht për pozitat të cilat kanë qenë të lira dhe janë plotësuar gjatë fazës transitore të rekrutimit sipas nenit 97 të këtij ligji.
- Në procedurën e shpallur të rekrutimit sipas paragrafit 2 të këtij neni, gëzon të drejtën e konkurrimit edhe zyrtari publik i cili ka qenë i emëruar në atë pozitë deri në momentin e shpalljes së procedurës së rekrutimit për pozitën në fjalë.
- Nëse zyrtari publik si në paragrafin 3 të këtij neni, pas përfundimit të procedurës së rekrutimit nuk shpallet fitues për emërim në pozitën përkatëse, ai do të sistemohet në kategorinë profesionale, me kusht që plotëson kriteret për emërim në pozitën në fjalë.
- Zyrtari publik, si në paragrafin 4 të këtij neni, do të përfitojë kompensim i cili është i barabartë me diferencën ndërmjet pagës bazë të pozitës drejtuese që ka ushtruar dhe pagës së kategorisë profesionale ku sistemohet, në:
5.1. 100% të diferencës në pagë, gjatë vitit të parë pas sistemimit në kategorinë profesionale;
5.2. 75 % të diferencës në pagë, gjatë vitit të dytë pas sistemimit në kategorinë profesionale;
5.3. 50% të diferencës në pagë, gjatë vitit të tretë pas sistemimit në kategorinë profesionale;
5.4. 25 % të diferencës në pagë, gjatë vitit të katërt pas sistemimit në kategorinë profesionale.
- Deri në emërimin në një pozitë të kategorisë profesionale, sipas paragrafit 5 të këtij neni, nëpunësi civil vendoset në listën tepricë dhe gëzon të drejtat ashtu siç përcaktohet në nenin 63 të këtij ligji. Refuzimi për t’u emëruar në pozitën e kategorisë profesionale, përbën shkak për lirimin e nëpunësin nga shërbimi.
- Për pozitat e lira të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues për të cilat është shpallur dhe përfunduar procedura e rekrutimit sipas nenit 97 të këtij ligji, zyrtari publik është emëruar në atë pozitë gjatë periudhës transitore, konsiderohet se mandatin e parë për pozitën përkatëse e fillon në momentin e emërimit të tij në atë pozitë.
- Nëpunësit e shërbimit civil dhe nëpunësit e shërbimit publik të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese, kur emërohen, i nënshtrohen periudhës provuese sipas nenit 51 të këtij ligji.
- Nëpunësi civil dhe nëpunësi i shërbimit publik i kategorisë së lartë drejtuese i emëruar në këtë pozitë sipas procedurës së Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik, do të vazhdojë mandatin e tij për kohën e mbetur të përcaktuar sipas atij Ligji.
- Nëpunësi civil dhe nëpunësi i shërbimit publik i kategorisë së lartë drejtuese, të cilit i është vazhduar mandati sipas Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik, konsiderohet se ka përfunduar mandatin e dytë, dhe nuk ka të drejtë t’i vazhdohet mandati edhe njëherë.
- Nëpunësi i shërbimit publik i kategorisë së lartë drejtuese në një institucion të shërbimeve publike, i emëruar në këtë pozitë sipas dispozitave përkatëse të shërbimeve publike, do të vazhdojë mandatin e tij për kohën e mbetur të përcaktuar në aktin e emërimit të tij.
- Procedurat e rekrutimit, të disiplinës apo të ankesave të filluara dhe të papërfunduara në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, do të vazhdojnë sipas dispozitave të mëparshme ligjore, që kanë rregulluar çështjet përkatëse.
- Hyrja në fuqi e këtij ligji përbën shkas për përfundimin e mandatit të komisioneve të themeluara në bazë të Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik. Në rast se këto komisione kanë në shqyrtim procedura të rekrutimit, të disiplinës apo të ankesave, duhet të përfundojnë këto procedura, dhe më pas konsiderohet se përfundon mandati i tyre.
- Periudha provuese e nëpunësit civil, e kryer para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të konsiderohet si periudhë provuese e përcaktuar sipas këtij ligji.
- Për qëllim të llogaritjes së përvojës së punës, kohëzgjatja e marrëdhënies së punës të zyrtarëve publik do të konsiderohet se përfshin kohëzgjatjen e marrëdhënies së punës sipas Ligjit Nr. 06/L – 114 për Zyrtarët Publik.
- Dosjet e personelit dhe dokumentet e tjera me rëndësi për shërbimin civil dhe punësimet e tjera të krijuar sipas Ligjit Nr. 06/L-114 për zyrtaret publik duhet të ruhen dhe të përfshihen në dosjet e reja personale.
- Dosja e vlerësimit të nëpunësit civil, e bërë sipas Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik, do të mbahet.
- Masat disiplinore, të marra para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të vazhdojnë të mbesin në fuqi edhe sipas këtij ligji. Zbatimi dhe fshirja e masës do të bëhet në pajtim me këtë Ligj.
- E drejta në pushim vjetor e fituar në bazë të përvojës së punës sipas dispozitave të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, do të ruhet edhe sipas këtij ligji.
- Marrëveshjet për shërbime të veçanta, sipas paragrafit 4 të nenit 12 të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në afatin e përcaktuar në ato marrëveshje në pajtim me dispozitat e lartcekura”, thuhet në këtë nen të këtij projektligji.
Demokracia.com publikon për herë të parë të plotë Projektligjin për Zyrtarët Publik, siç është finalizuar nga Qeveria Kurti dhe tanimë ka filluar të shpërndahet për konsultime publike.
Po ashtu, i plotë publikohet edhe Memorandumi Shpjegues i përgatitur nga ministria e Xhelal Sveçlës për këtë projektligj.