Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka marrë asnjë ftesë nga Lëvizja Vetëvendosje për ndonjë takim konsultativ rreth formimit të institucioneve të reja konkretisht qeverisë.
I pyetur nëse do ta pranonin një ftesë eventuale nga VV-ja dhe për mundësinë e një koalicioni me të, deputeti i zgjedhur i PDK-së, Fadil Demaku, nuk dha përgjigje konkrete por tha se PDK-ja është parti e përgjegjshme para votuesve të saj dhe qytetarëve të vendit.
Sipas tij, qasja e Lëvizjes Vetëvendosje që nga fushata zgjedhore e tutje nuk ka qenë korrekte në raport me oponentët e saj politik dhe e njëjta duhet ndryshuar.
“Jo deri më tani sa jemi të informuar ne në PDK s’kemi pasur asnjë ftesë nga LVV-ja. PDK-ja gjatë kohës prej që kanë përfunduar zgjedhjet dhe janë certifikuar ka pasur qëndrimet e saj për publikun, opinionin e gjerë për këtë çështje dhe kemi pasur pak ditë me parë deklarimin e kandidatit të PD-së për kryeministër z. Hamaza dhe ne do ecim në atë linjë që PDK-ja është parti shumë e përgjegjshme, është parti institucionale është parti e cila është korrekte në raport votuesin qytetarin dhe e di shumë mirë përgjegjësinë se si të ecët në këtë proces. Në raport me Vetëvendosjen kemi parë që qasja nuk ka qenë shumë korrekte në raport me oponentët e tjerë politik. Kemi pasur një agresivitet të komunikimit dhe të shpërfaqjes së gjithë asaj si Lëvizje Vetëvendosje çka tregon se nuk kanë qenë të kujdesshëm në raport me votën e qytetarëve në raport me njohjen e verdikitit të qytetarëve në përgjithësi dhe kanë treguar se nuk marrin përgjegjës institucionale në mënyrën ashtu se si duhet dhe se si e kemi për detyrë para qytetarëve. Në këtë raport ne jemi me të kujdesshëm. Qasja e tyre ka qenë jo duhur jo korrekte ka qenë qasje pak a shumë manipulative në raport me opinionin dhe ata duhet të ndryshojnë këtë qasje në raport me oponentët e tjerë politikë sepse deri tani kanë dhënë një shembull aspak të mirë, tha Demaku për RTV21.