Qytetarë e përfaqësues të bizneseve janë ankuar se kohëve të fundit kanë hasur në monedha 1-euroshe e bankënota 20-euroshe false, pas atyre 2-euroshe. Në Polici bënë të ditur se janë shtuar ankesat e qytetarëve lidhur me çështjen. E teksa ekonomistët e pranojnë qarkullimin në masë të këtyre parave false, e bënë edhe paralajmërimin për një rrezik që u kanoset qytetarëvePas qarkullimit masiv në treg të monedhave 2-euroshe false, qytetarë e përfaqësues të bizneseve kanë shprehur ankesën se së fundi po hasin edhe në 1-eurosh e 20-eurosh false.
Shkaku i vështirësive që u janë shfaqur, ata u kanë kërkuar autoriteteve të shtetit angazhim më të madh për parandalimin e kësaj dukurie.
“Kohë më parë u shqetësuam për ato dy eurot, kurse tash doli që ka edhe nga një euro false, vërtet është shqetësuese. Mendoj se shteti duhet të bëjë gjithçka që ta ndalojë këtë dukuri, sepse vërtet është shndërruar në dukuri. Edhe ne jemi në situatë të vështirë, sepse nuk po dimë se çfarë të bëjmë”, ka thënë Mirsad Krasniqi, shitës i librave.
Të shqetësuar janë shprehur edhe qytetarët. Sipas tyre, në vazhdimësi po hasin në probleme gjatë blerjeve.
“Është tejet shqetësuese edhe një euro tash. Edhe një euro ka dalë në treg dhe në lëvizje. Më të vërtetë është shqetësuese, sepse po kemi problem me shitësit, edhe me blerje kemi problem, sepse nuk ta merr paranë, kështu që uroj sa më shpejt të gjendet një zgjidhje. Për këtë duhet edhe shoqëria, por më së shumti institucionet shtetërore të japin maksimumin që këto fenomene negative sa më shpejt të ndalen”, ka deklaruar qytetari Fatmir Muçolli.
Ekonomisti Adem Qorrolli pranon se monedhat prej 1 eurosh e bankënotat prej 20 eurosh kanë nisur të shpërndahen në masë të madhe. Po qe se nuk ndërmerren masa, ai paralajmëron edhe për një rrezik që mund t’i presë qytetarët.
“Tash kemi edhe një rrezikshmëri, sepse e kemi liberalizimin e vizave dhe mund t’i kemi xhepat po me ato para. Llogarit të blesh në Gjermani apo në Zvicër e Francë me ato monedha false. Ti do të jesh i burgosur nga një neglizhencë e institucioneve vendore”, ka deklaruar Qorrolli.
Në Policinë e Kosovës thanë se janë shtuar rastet e lajmërimeve nga qytetarët e bizneset dhe se, bazuar në to, po iniciojnë procedura për veprën penale të falsifikimit të parasë.
“Policia e Kosovës i trajton të gjitha rastet bazuar në procedurat e parapara ligjore, kështu që çdoherë kur ka informacion se po kryhet ose është kryer një rast që është i inkriminuar në bazë të Kodit Penal (KP) ndërmerr masat dhe i trajton ato bazuar në procedurat e parapara për veprën penale neni 296, ‘falsifikim i parasë’”, thuhet në përgjigjen nga Policia.
Gjatë vitit 2023 janë raportuar 1 mijë e 247 raste të falsifikimit të parasë, teksa më 2022 Policia inicioi 804 raste.
Në fund të vitit të shkuar Policia pati arrestuar tre persona nga Kosova dhe tre nga Maqedonia e Veriut nën dyshimin për prodhimin dhe vënien në qarkullim të monedhave 2-euroshe false.