Polititkanë të disa shteteve perëndimore i janë drejtuar me një letër Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Ata kanë kërkuar nga Borrell, Blinken dhe Cleverly qasje më të ashpër ndaj Vuçiqit.
“Tendencat e Serbisë për t’i penguar zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet që publikisht të kritikohet si interferim I juaj dhe duhet të ndërmerren masa konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse, nëse vazhdon t’i rrezikojë zgjedhjet e lira dhe demokratike”, thuhet në letrën drejtuar Josep Borrell, Anthony Blinken dhe James Cleverly.
Sipas Tagesspiegel, letra është nënshkruar nga kryetarët e komiteteve të politikës së jashtme të Bundestagut, Michael Roth (SPD) dhe Senatit të SHBA, Bob Menendez, por edhe kryetarët e Komitetit të Jashtëm të Dhomës Britanike të Komunave dhe parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.
“Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politika me qendër Beogradin në Ballkan”, thuhet në letër.
Politikat aktuale të BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe me synimin për Serbinë dhe Kosovën nxjerrin në pah “dobësi në qasjen tonë të përbashkët”.
Politikanët e huaj po bëjnë thirrje për kthim në ekuilibër dhe proporcionalitet në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë.
“Mungesa e presionit ndaj Serbisë pas arrestimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjës për sulmet ndaj forcës mbrojtëse të NATO-s KFOR, sqarojnë ‘mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e pikave të tilla problematike’”, shkruan Tagesspiegel.
“Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të jetë baza e politikës sonë të përbashkët ndaj krizës aktuale”, thuhet në letër.
Artikullin e Tagesspiegel e ka shpërndarë Michael Roth, i cili në Twitter ka shkruar se kërkojnë qëndrim më kritik ndaj Serbisë dhe politikë më konstruktive ndaj Kosovës. /GazetaExpress/