Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke zhvilluar kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, që lidhen me sulmin ndaj Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë.
“Sot, me datën 29.09.2023 Policia e Kosovës është duke zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente për kontrolle, në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës. Këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
“Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim. Këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Albin Kurti duke shpërndarë në Twitter fotografi të armëve serbe të gjetura nga aksioni i Policisë në Banjskë të Zveçanit, ka thënë se sasia e madhe e tyre e bën të pabesueshme idenë që ato të…
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë.
Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Prej të arrestuarve, tre janë dërguar në paraburgim e katër janë liruar.
Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.
Institucionet e Kosovës kanë fajësuar Serbinë se qëndron prapa sulmit.
Tashmë janë publikuar pamje që tregojnë se si grupi i armatosur ka lëvizur në Manastirin e Banjskës. Ministri i Brendshem Xhelal Sveçla ka publikuar pamje në të cilat shihet edhe zëvendëskryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.