Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka mbajtur sot një takim virtual me menaxhmentin e Policisë së Kosovës, ku është diskutuar lidhur me zbatimin e masave në luftimin e përhapjes së koronavirusit, pas shtimit të rasteve të reja ditëve të fundit në Kosovë.
Qalaj ka kërkuar nga drejtorët e Drejtorive Rajonale Policore (DRP) dhe drejtorët e DRP-ve të kufirit, që të shtojnë aktivitetet në zbatim të Ligjit antiCOVID-19.
Ai tha se drejtorët rajonalë duhet të kenë më shumë angazhim në mbikëqyrje të aktiviteteve të secilit pjesëtar të PK-së veç e veç, duhet dyfishuar aktivitetet policore në terren, pasi vetëm me angazhime të shtuara do të ketë më pak të prekur nga pandemia.
“Aktivitete policore në zbatim të Ligjit anti-COVID, duhet të jenë të pa kompromise dhe ndaj secilit që bie ndesh me ligjin, të merren masat e menjëhershme që parashihen, përfshirë shqiptimin e gjobave”, u shpreh Qalaj.
Gjithë të pranishmit në takim, e në veçanti drejtorët e DRP-ve, u zotuan se do të mbajnë lartë angazhimet e tyre në drejtim të shtimit të masave parandaluese në aspektin policor.
Policia e Kosovës, me këtë rast i bashkëngjitet apelit të përgjithshëm të institucioneve shëndetësore e qeveritare, që të gjithë pa përjashtim të kenë kujdes të shtuar ndaj përhapjes së pandemisë dhe të respektojnë ligjin dhe vendimet e institucioneve të vendit, përndryshe do të ketë zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjit.