Policia: S’kemi plagosur askënd në veri


Policia e Kosovës ka mohuar raportimet se në veri të vendit ka plagosur një person në mbrëmjen e 10 prillit. Në një reagim publik në Facebook, Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka qenë e përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar.

Të hënën në mbrëmje, në media lokale serbe u raportua për një plagosje, ndërsa u tha se zyrtarë policorë kanë qenë pikërisht në vendin ku ka ndodhur rasti.

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se pas pranimit të informatës për plagosje, policët janë dërguar në vendngjarje e madje edhe në spitalin e Mitrovicës së Veriut. Aty është konfirmuar se po trajtohet një person që dyshohet se është plagosur në kraharor, por që deri tash, sipas Policisë, ende s’dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij.

“Policia e Kosovës, është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti. Vlen të potencojmë dhe njëherësh të sqarojmë se, Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar. Andaj edhe shkrimet, apo pyetjet e adresuara Policisë së Kosovës nga disa mediume serbe, se kinse Policia e Kosovës është përfshirë, apo në formën e pyetjes se a është përfshirë në gjuajtje me armë dhe plagosje të një personi te ura e Bistricë në komunë të Leposaviqit, ju informojmë dhe njëherësh ritheksojmë se Policia e Kosovës, nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar”, thuhet në njoftim.

Policia ka thënë se mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndriçimin e rastit.

I plagosuri, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetë.