Policia ndalon 21 persona që si respektuan masat kundër koronavirusit

Policia e Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar 21 persona, të cilët nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës është thënë se në 12 raste janë hasur 21 persona që dyshohen për veprën “mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Policia ka thënë se numri më i madh i personave të ndaluar është regjistruar në Prishtinë dhe në Prizren.

Më 4 maj në Kosovë, ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit.

Orari i lëvizjes së qytetarëve është rritur nga një orë e gjysmë në ditë, në tri orë, ndërsa disa biznese janë rihapur.

Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave.

Në Kosovë janë të regjistruar 860 persona të infektuar, 533 të shëruar dhe 26 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.