Policia e Kosovës ka ndaluar 11 persona nën dyshimin se kanë shkelur rregullat e vendosura nga autoritetet e Kosovës për luftimin e pandemisë së koronavirusit.
Masat e reja për luftimin e COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi, kanë hyrë në fuqi më 6 korrik.
Shumica e rasteve të ndalimit të këtyre personave ka të bëjë me mosrespektimin e orarit të lëvizjes gjatë pandemisë.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se policia ka marrë masa ndaj pronarit të një lokali ku po mbahej një aheng familjar, në të cilin kishin qenë të tubuar rreth 130 pjesëmarrës, e që është në kundërshtim me masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Që prej 6 korrikut, në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri është ndaluar lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 5:00.
Në këtë interval kohor e kanë të ndaluar të ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe bizneset e gastronomisë.
Në Kosovë, që prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus më 13 mars e deri më 11 korrik, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 4.715 nga 27.723 teste të bëra.
Ndërsa, janë shënuar 101 raste të vdekjeve.