Policia e Kosovës po kontrollon secilin serb që ka ardhur në Gazimestan, në afërsi të Obliqit, për ta festuar Vidovdanin.
Policia ka larguar flamuj e bluza provokuese nga pjesëmarrësit.
Ndër vite, Vidovdani është organizuar më 28 qershor në Gazimestan.
Vitin e kaluar, kjo festë nuk u lejua të mbahej në Gazimestan, duke e zhvendosur në Manastirin e Graçanicës “shkaku i situatës së sigurisë”.
Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht humbjes së madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Lazar.
Shënimi i përvjetorit të Betejës së Kosovës në vitin 1989, në kohën e udhëheqjes së presidentit serb Sllobodan Millosheviq, u kthye në kulmin e nacionalizmit në ish-Jugosllavi, me shpalljen siç thuhej të bashkimit të Serbisë, përmes rrënimit të autonomisë së Kosovës dhe me paralajmërimin e luftërave të përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave.

