Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani ka konfirmuar vdekjen e dy fëmijëve në një pus në fshatin Milloshevë të Komunës së Obiliqit.
Kelani ka thënë pasi fëmijët kanë rënë në pus, ata është munduar t’i ndihmojë një fshatar por pa sukses. Po ashtu ai ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dal shumë shpejtë edhe ekipet mjekësore dhe ekipet e policisë.
Vdekjen e fëmijëve 9 deri 12 vjeç e kanë konstatuar ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes.
“Policia ka pranuar informacionin se në një liqe artificial fillimisht tre fëmijë kanë shkuar për t’u larë dhe nga informatat e para dyshohet se dy fëmijë kanë hyrë dhe nuk kanë arritur të dalin. Një banor ka marrë veprime të menjëhershme ka arritur që njërin ta nxjerrë nga lumi. Është tentuar t’i jepet ndihma e parë, por nga ekipet mjekësore është konstatuar se ka humbur jetën”, ka thënë Kelani.
Kelani bëri të ditur se para pak minutash, ekipet e kërkim shpëtimit të FSK’së kanë nxjerrë edhe trupin e fëmijës së dytë të cilin ishin duke e kërkuar.
“Rreth orës 17:10 njësitë për kërkim shpëtim të FSK’së kanë arritur ta nxjerrin edhe fëmijën e dytë. Kanë bërë të pamundurën që fëmijët t’i nxjerrin dhe t’i shpëtojnë, por fatkeqësisht dy fëmijë kanë humbur jetën dhe është konstatuar vdekja nga ekipet mjekësore. Informatat e para deri në këto momente janë se bëhet fjalë për fëmijë nga 9 deri në 12 vjeç, sipas këtyre informacioneve fëmijët kanë lidhje familjare”, ka deklaruar Kelani.