Policia kap marihuanë në vlerë 400 mijë euro në kufirin me Serbinë

Policia e Kosovës ka kapur në mbrëmjen e të martës 182 kilogramë marihuanë në vlerë rreth 400 mijë euro, në zonën kufitare Kosovë – Serbi në lindje.

Në veturën e kontrolluar u gjet sasia e marihuanës që dyshohet se po transportohej nga Kosova për në Serbi.

Policia ka arrestuar dy shtetasit kosovarë, Y.H. (1998) dhe D.H. (1990).

“Më datën 24.10.2023 rreth orës 21:35, pas informacioneve të shkëmbyera nga Njësia e Task Forcës e Policisë Kufitare – Lindje me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në zonën kufitare RKS/SRB është ndaluar vetura e dyshuar me targa vendore e cila pas kontrollimit nga njësitë policore tek e njëjta është gjetur sasi e dyshuar e narkotikëve të llojit marihuanë e cila dyshohet se ishte duke u transportuar nga Serbia për në Republikën e Kosovës. Lidhur me rastin janë ndërmarrë menjëherë veprime hetimore, ku në konsultim me prokurorin kujdestar janë arrestuar dy të dyshuar shtetas kosovarë, Y.H. (1998) dhe D.H. (1990), për transportim me narkotikë si dhe janë sekuestruar narkotikë në sasi prej 182 kg. të llojit marihuanë, ku vlera e kësaj substance narkotike në treg dyshohet të jetë rreth 400.000 (katërqind mijë) euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka bërë të ditur se si prova materiale janë sekuestruar një veturë, një kombi me targa vendore, që janë përdorur në rastin si dhe dy telefona celularë.

Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

“Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohen në ndalim policor prej 48 orësh, ndërsa rasti i iniciuar ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e sub. narkotike – Neni 267 të KPRK-së’ procedohet tek njësitë kompetente për trajtim të mëtejmë”, thuhet nga policia.