Policia jep detaje për aksidentin e shkaktuar nga ministrja Rozeta Hajdari

Policia ka dhënë detaje rreth aksidentit të shkaktuar nga ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, të dielën në rrugën “Vicianum” të Prishtinës.

Në raportin 24 orësh, policia i referohet Hajdarit si “e dyshuara femër kosovare” e cila përderisa ishte duke drejtuar veturën, ka goditur viktimën mashkull kosovar.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet tutje në raport, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkohë, mbrëmjen e së dielës, Hajdari ka dalë me një deklaratë në llogarinë e saj në Facebook, duke thënë se përderisa ishte duke vozitur, dy fëmijë ishin shfaqur papritur në rrugë, duke shtuar se njëri prej tyre ishte përplasur me veturën e saj.

“Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmijës dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit”, ka shkruar ajo ndër të tjera.