Të premten më 13 nëntor në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Qeveria ka kategorizuar komunat në tri grupe sipas shkallës së rrezikut nga përhapja e infeksionit.
Sipas kategorizimit, komunat me rrezik të lartë – mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të kuqe)
Komunat që hyjnë në kategori: Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë Kosova, Peja, Gjakova, Ferizaj, Shtime, Gjilan, Mitrovicë e Jugut.
Në kuadër të kësaj sipas rekomandimeve, pika e nëntë thotë se “Taksitë lejohen të punojnë me vetëm një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes”.
Por, përkundër kësaj, policia po vazhdon t’u vejë gjobë 200 euro taksive.
Një qytetar nga Peja i cili ka marrë gjobë sot ( e shtunë), i ka thënë Telegrafit, se përkundër që ka qenë vetëm në veturë, dhe posedon dokumentacionin që i lejohet të punojë, atij i kanë vëndosur gjobë.
Përveç tij edhe dy taksi të tjerë “London Taxi” po ashtu sot kanë marrë gjobë 200 euro pasi kanë punuar pas orës 19:00.
Ata e kanë konfirmuar se janë gjobitur në qytetin e Pejës, por kanë thënë se do të çojnë ankesë, pasi kanë lejet e qarkullimit sipas rekomandimeve të fundit të Qeverisë.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) njoftoi të shtunën se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 765 raste me coronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Rezultatet janë në bazë të 1791 mostrave të testuara. Nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur edhe 11 pacientë.