Policia e Kosovës sulmohet me armë në veri


Policia e Kosovës është sulmuar me armë mesditën e së shtunës teksa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit. Nuk ka asnjë të lënduar.


Sipas njoftimit të Policisë, ka pasur afër 10 të shtëna me armë zjarri.

“Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e njësisë policore të Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK).

Në asistencë të njësisë policore, sipas njoftimit, ka shkuar Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare.

Policia po vazhdon të vëzhgojë terrenin dhe ta trajtojë rastin.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe luftimin e kriminalitetit e me theks të veçantë të kontrabandës në atë zonë”, përfundon njoftimi.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri ka qenë në rritje gjatë muajve të fundit.