Reagimin me protesta dhe bllokim të rrugëve nga ana e serbëve të veriut, policia e Kosovës përveç pranisë fizike atje, është duke e monitoruar edhe me anë të dronëve.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar pasi serbët lokalë dhe lidershipi i tyre atje kanë reaguar me protesta e barrikada duke kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës, që të aplikojë masë reciprociteti ndaj Serbisë, duke mos lejuar automjetet serbe që të hyjnë në territorin e Kosovës me targa të shtetit serb.
Policia e Kosovës është vendosur me forca të shtuara të njësive të saj elite në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, për ta pasur situatën nën kontroll.
Përveç pranisë fizike, e me mjete të blinduara, Policia e Kosovës është duke e monitoruar situatën edhe përmes dronëve, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Këtë vendim që po kundërshtohet nga serbët lokalë dhe lidershipi i tyre politik atje, qeveria e Kosovës po e arsyeton me masën e reciprocitetit, pasi Serbia prej kohësh i detyron qytetarët që drejtojnë automjete me targa të Republikës së Kosovës, që në momentin kur hyjnë në territorin e Serbisë, t’i largojnë ato, dhe në automjetet e tyre të vendosin targa të përkohshme që bartin simbole të shtetit serb.